Regjistrimet në arsimin profesional vazhdojnë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot të gjithë të interesuarit që të regjistrohen në shkollat e arsimit profesional.
Gonxhja theksoi se të interesuarit mund të zgjedhin mes 3️ shkollave në qarkun e Korçës, shkolla “Enver Qiraxhi”, shkolla profesionale “Shërbime Korçë” dhe shkolla profesionale “Teknike Korçë”.
Gjithashtu ai theksoi se janë 1️0️ drejtime që mund të zgjidhen për një arsim dinamik, përfshirës dhe plot mundësi.
Drejtimet përfshijnë hoteleri-turizëm, ekonomi-biznes, veterinari, bujqësi, dizenjim modë në shkollën profesionale “Shërbime Korçë” ku ka 390 nxënës dhe 46 biznese partnere.
Shkolla profesionale “Teknike Korçë” ka 467 nxënës dhe 65 biznese partnere në drejtimet si ndërtim, mekanikë, elektroteknikë, termohidraulikë dhe shërbim mjetesh transporti.
Ndërsa shkolla “Enver Qiraxhi” ka 233 nxënës dhe 30 biznese partnere me 3 drejtime si mekanikë, elektroteknikë dhe hoteleri-turizëm.
Të interesuarit duhet të regjistrohen përmes e-Albania, në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë” si dhe të klikojnë në faqen www.aftesi.al për të mësuar më shumë dhe për t’u regjistruar./ata