Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi sot se procesi për përfshirjen e lumit Vjosa në listën e trashëgimisë së mbrojtur botërore të UNESCO-s po përparon.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro bëri të ditur se ekspertët e misionit të UNESCO-s kanë vizituar Shqipërinë dhe, së bashku me stafin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, po punojnë intensivisht për përgatitjen e dosjes për aplikimin në Programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Kumbaro sqaron se gjatë kësaj vizite, grupi i ekspertëve ka realizuar inspektime të shumta në terren, duke përfshirë vizita në Monumentin e Natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, në Tepelenë, dhe në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”. Gjatë këtyre vizitave, ata kanë vlerësuar nga afër një nga ekosistemet më unike të Evropës dhe kanë zhvilluar diskutime me banorët dhe bizneset lokale për të siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre në këtë proces.
Ky hap i rëndësishëm vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë natyrore të vendit./ata