Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka përsëritur mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Ukrainën, duke theksuar se vendi i tij nuk është në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
“Ne kemi dhënë ndihmë ushtarake, politike dhe humanitare përmes nëntë paketave masash. Në qershor 2025 do të organizojmë një konferencë për rindërtimin, dhe do të punojmë për një konferencë paqeje. Por, nuk jemi në luftë me Rusinë.
Me çfarë autoriteti do të bombardonim Moskën? Cili do të ishte kufiri? Duhet të jemi të matur dhe të shmangim çdo përshkallëzim të panevojshëm, dhe këtë e kemi bërë që nga fillimi,"- ka deklaruar Tajani gjatë një interviste për Corriere della Sera.
Në lidhje me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell se Ukraina ka të drejtë të reagojë ndaj sulmeve nga territori rus sipas së drejtës ndërkombëtare, Tajani theksoi se Borrell po shprehte mendimin e tij personal dhe jo qëndrimin e përbashkët të shteteve anëtare të BE-së, të cilat kanë legjislacione të ndryshme./Tema