Një familje në fshatin Dajç të Lezhës, pretendon se ka përjetuar situatë të frikshme dhe paniku në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte. Sipas tyre persona të prezantuar si policia e shtetit kanë hyrë forcërisht në banesën e tyre, duke terrorizuar zonjën e shtëpisë dhe dy femijët, pasi kryefamiljari ndodhej në Mal të Zi ku punon si punëtor krahu.

 

 

Artan Gjinaj, tha se kishte ardhur në Lezhë pasi bashkëshortja e kishte njoftuar se persona të maskuar që i ishin prezantuar si policë, kishin hyrë për kontroll në shtëpi.“Sot në orën 5 pa një çerek. Policia, kështu thanë, se nuk e dimë ende, kanë hyrë në kontroll në shtëpi pa asnjë lloj informacioni. Unë punoj në Mal të Zi. Gruaja më mori në telefon. Kanë ardhur me maska, kanë tentuar të thejnë dritaren. Pasi nusja u ka hapur derën, e kanë mbështetur për dere dhe kanë hyrë për kontroll në shtëpi. Unë vij njëherë në javë shtëpi, punoj atje si punëtor krahu, vetëm unë nga 4 pjestarët e familjes. Mbrëmë nuk kam qenë në shtëpi dhe kanë terrorizuar familjen”- u shpreh kryefamiljari.

 

Ndërkohë ende nuk dihet nëse personat të cilët kanë hyrë për kontroll në këtë banesë, kanë qenë policë. Siç bëhet me dije personat e maskuar nuk kanë grabitur asgjë, vetëm kanë bërë kontrolle në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe janë larguar.