Ishte vigjilja e pashkëve dhe shtëpitë e të krishterëve zienin nga përgatitjet për “pastrimin e pranverës”, që s’ishte gjë tjetër tjetër veç pastrimit të pashkëve.
Çdo dhomë duhej pastruar me rrënjë dhe lyer me gëlqere. Dhe jo se ishte bërë pis, pasi të gjitha shtëpitë ishin dritë të pastra.
Thuhet se amvisat holandeze janë nga më të pastrat, por mua më duket se shqiptaret e jugut ua kalojnë.
Qyteti është i pastër, i ndërtuar mirë, i vendosur vërtet shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, e cila rrjedh vrullshëm nëpër një hon që e ka çarë vetë në tokën e butë.
Ka 7000 banorë, tri xhami, tri kisha, një shkollë vajzash e djemsh të krishterë dhe një shkolle djemsh myslimanë.
Buzë lumit ngrihet si vigan një shkëmb i madh i shkëputur nga mali. Në majë duken rrënojat e një manastiri, vendbanimi i ndonjë shenjtori të harruar kurse rrezë tij rrjedh një burim me ujë të bekuar.
Në kodrën aty më lart ngrihen gërmadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës. Rrija e sodisja qytetin nga gërmadhat e kalasë së Ali Pashës, dhe ndoshta ngaqë vija nga vise të shkreta shkëmbore, Përmeti me qiparisat e lartë, dushqet e purpurt dhe gjelbërimin e pranverës m’u duk një nga vendet më të bukura të botës.
Por ai është m’u në skaj të një vendi të shkretë dhe ushtari që më shoqëronte, hodhi kryet prapa duke ulëritur fort, si për të shkërbyer ujqit e një nate dimri./Tema