Një familje palestineze u sulmua sot nga kolonët e paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor.
"Kolonët vodhën rreth 300 dele që i përkisnin familjes pranë qytetit Aqraba në Nablus", tha Hasan Melihat në një deklaratë, duke shtuar se një person ka mbetur i lënduar dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Aktivisti paralajmëroi për shtimin e sulmeve të kolonëve kundër komuniteteve beduine në Bregun Perëndimor për të detyruar zhvendosjen e tyre.
Sipas vlerësimeve izraelite, mbi 720 mijë kolonë të paligjshëm banojnë në kolonitë hebreje në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor.
Sipas banorëve palestinezë, sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar janë rritur që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor të kaluar.
Metodat e përdorura nga kolonët e paligjshëm varionin nga gjuajtja me municion të vërtetë deri te rrahja, gurëzimi i automjeteve dhe sulmi ndaj shtëpive, familjeve dhe fermerëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 682 palestinezë janë vrarë dhe mbi 5.600 të tjerë janë plagosur nga të shtënat e ushtrisë izraelite dhe sulmet e kolonëve që nga 7 tetori 2023.
Në një opinion këshillimor historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli "të paligjshëm" pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor./aa