Pas një ore – paralelisht me protestën e banorëve të Thumanës – i ka ardhur fundi edhe sesionit të ri parlamentar.

Ishte kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila çeli seancën e kësaj të hëne të 2 shtatorit, me fokus te partnerët strategjikë të vendit.

“Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike të Shqipërisë me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE, NATO. Do të vijojnë punën dy komisionet e posaçme, qëllimi i të cilëve është avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa”.

Por, nuk munguan as thirrjet drejtuar opozitës. Për ‘bashkëpunim’.

“Reflektimi duhet të jetë i përbashkët, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. T’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar”.

Mirëpo, as fokusi te partnerët strategjike dhe as thirrja për bashkëpunim nuk i kanë mjaftuar Gazment Bardhit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij në Kuvend – pasi ka ‘justifikuar’ vonesën e paraqitjes – ai është ndalur te rruga Thumanë-Kashar…te paralelja e sesionit të sotëm.

“Ne si opozitë hymë në seancë plenare tre minuta me vonesë, sepse u ndalëm që të takojmë banorët e Krujës, sepse zëri i tyre i protestës nuk dëgjohet nga qeveria dhe kërkesa e tyre është minimale”.

Sipas Bardhit, rruga duket sikur po ecën në det. “Por ata nuk po protestojnë për këtë”.

“Kanë kërkesë minimale, kërkojnë hyrje-dalje në rrugë kombëtare”.

Ka renditur ndër të tjera edhe katër prioritete të PD-së: reformën zgjedhore, rritjen e pensionit minimal ne 300 euro, ligjin për caktimin e minimumit jetik dhe mbështetjen ndaj bujqësisë.

Në një temë ‘të nxehtë’ është ndalur edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka: te çështja e mbetjeve toksike.

“Dua të ngre shqetësimin për mbetjet toksike të kompanisë Kurum. Qeveria dhe shteti u sollën në mënyrën më shembullore të papërgjegjshmërisë. Fshehën kokën dhe përgjegjësitë. Ata nuk dinë asgjë, as dogana, as Ministria e Mjedisit, as Autoriteti Portual, as Policia dhe as kontrolli Kufitar”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse vërtet nuk di, “tregon se është shpartalluar në atë masë sa për muaj e vite më radhë, vinçat shkarkojnë lloj-lloj malli dhe nuk dinë asgjë. I bashkohen çdo kërkese për interpelancë për të bërë transparencë për këtë çështje”.

Kurse Niko Peleshi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është fokusuar te anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ai u shpreh se Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shteti shqiptar – sipas tij – nuk është i partive politike, por i shqiptarëve.

Thënë këtë, Peleshi u ka drejtuar thirrje deputetëve opozitarë që të bashkëpunojnë me mazhorancën, ngjashëm siç bëri në sije Spiropali, me qëllim që anëtarësimi në union të jetë më i lehtë.

Sakaq, sesioni i ri u parapri nga një mbledhje qeverie prej më shumë se tetë orësh, ky kryeministri Edi Rama mblodhi kabinetin e tij, për piketat e fundit përpara betejës së radhës politike dhe elektorale.

Mbledhja pa të pranishëm ministrat e kabinetit, teksa në orët e vona të pasdites, vetë Rama është larguar nga rezidenca qeveritare në Dajt, duke mbyllur mbledhjen. Detajet kanë qenë të pakta rreth diskutimeve që ka pasur në të.

Rama nuk u ndal për gazetarët pas takimit me kabinetin e tij, pavarësisht se diçka të tillë zakonisht e ka bërë në herët e shkuara.

Çështje të diskutimeve, të cilat janë folur, bëhet me dije megjithatë se kanë qenë rëndësia e komunikimit në media sociale, çështjet sociale, siguria dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.

Me rëndësi në këtë mbledhje ishte edhe plani për vitin zgjedhor, pasi ambicia e kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste është fitimi i mandatit të katërt.

Ky takim me qeverinë, i paraprin Asamblesë së Partisë Socialiste, që do të mbahet të dielën e ardhshme, më 8 shtator në qytetin e Durrësit ku pritet të zgjidhet Kryesia e re e PS.

Nga ana tjetër, edhe zhvillimi i sesionit të ri Parlamentar, mund të ketë qenë temë diskutimi në këtë mbledhje, pavarësisht se të pranishëm nuk kanë qenë deputetët socialistë./Albanianpost