Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë grumbullimin zyrtar në kuadër të dy sfidave ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Pas publikimit të listës disa ditë më parë, trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media, ku komentoi listën me 24 lojtarët e grumbulluar dhe foli për objektivat e skuadrës.

Trajneri tha se Armando Broja nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi për shkak të një problemi fizik dhe skuadrës do t’i bashkohet sulmuesi Myrto Uzuni.

Ndër të tjera, tekniku i përfaqësueses shqiptare foli edhe për dy emrat e rinj në listën kuqezi, Sebastjan Spahiu dhe Agim Zeka. Sa i përket objektivit të kuqezinjve në Ligën e Kombeve, Silvinjo nënvizoi se Shqipëria është një ekip në rritje dhe në këtë kompeticion ai kërkon nga skuadra që të përmirësohet akoma edhe më shumë.

“Armando Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne kemi pritur deri në fund, edhe dje ishim në kontakt me klubin e Evertonit. Ai kishte një problem me tendinën e akilit, ka nisur rikuperimin dhe është jashtë 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të dhe i uroj një rikuperim të shpejtë. Kemi thërritur Uzunin dhe nesër do të bashkohet me ne”, tha fillimisht trajneri Silvinjo dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Për mungesën e Muçit dhe çfarë pret nga dy lojtarët e rinj, Zeka e Spahiu, Silvinjo tha “Muçi është i rëndësishëm për ekipin, ka qenë gjithmonë pjesë e Kombëtares e kemi pasur edhe në Europian. Muçi është i rëndësishëm dhe do të jetë në vazhdim me ne”.

Për lënien jashtë liste të Etrit Berishës, Silvinjo theksoi se, “unë e kam thënë gjithmonë që Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Në këtë moment futbollisti nuk ka klub dhe pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga pushimet”.

I pyetur nëse ka kontaktuar me Brajan Grudën për të përfaqësuar Shqipërinë, tekniku u shpreh se, “një pjesë e rëndësishme e punës tonë është zbulimi i talenteve për të ardhmen. Ne kemi 3 milionë njerëz që jetojnë në Shqipëri dhe 10 milionë jashtë, na duhet vazhdimisht që të kontrollojmë lojtarët. Gjithashtu pjesë e punës është të ndjekim lojtarë që janë në Zvicër, Itali, Gjermani apo në vende të tjera. Kjo është një punë e vështirë, jo sekrete, por duhet ta bëjmë me profesionalizëm, se flasim për një lojtar që ka nënshtetësi të dyfishtë dhe zgjidhja është e tij”.

Për Ligën e Kombeve, Silvinjo u shpreh se është një kompeticion i rëndësishëm.

Për Myrto Uzunin, Silvinjo tha se, “Uzuni ka ardhur te ne si i jashtëm, ka luajtur ndaj Polonisë dhe ka luajtur titullar në shtëpi ndaj Moldavisë. Por ai ka një vit e gjysmë me Granadën ku luan sulmues i dytë. Unë e kam parë si qendërsulmues. E kemi vlerësuar gjithmonë si një sulmues qendre. Seferi e ka marrë vendin, ka ardhur Hoxha, është edhe Bajrami. Uzuni është sulmues pykë për ne, dhe për për këtë arsye nuk u ftua në Europian”.

I pyetur se çfarë do të ketë të re Shqipëria në Ligën e Kombëve, Silvinjo theksoi se ky është një cikël i ri që ne duam ende ta përmirësojmë në çdo aspekt.

“Ne jemi në rritje, por nuk duam të bëjmë një marzh rritje me eksperimente. Ne duhet të shkojmë drejt objektivit, të shkojmë në fushë e punojmë. Pas Evropianit kemi më shumë eksperiencë. Lojtarët japin shumë, por ne duhet të rritemi sepse kemi shumë të rinj, me shumë dëshirë për t’u rritur e bërë mirë. Por duhet të vazhdojmë të punojmë, duhet të përmirësojmë skuadrën për të bërë diçka të bukur, të përfaqësojmë njerëzit në fushë me zemër e shpirt skuadre. Kjo është ajo që duam të arrijmë në vitin e ardhshëm”, tha ai.

Për kundërshtarët, Silvinjo tha se, “kemi një grup të vështirë”.

“Si trajner u jap të njëjtin mesazh lojtarëve: duhet të provojmë të fitojmë një ndeshje të rëndësishme dhe të shkojmë në fushë të fortë”, u shpreh Siilvinjo.

Në fund të konferencës për mediat, trajneri Silvinjo, falënderoi dy futbollistët që u tërhoqën nga Kombëtarja shqiptare, Sokol Cikalleshi dhe Klaus Gjasula.

Ai u shpreh se Cikalleshi dhe Gjasula kanë dhënë një kontribut të madh për fanellën kuqezi dhe kanë shkruar historinë me Shqipërinë./ata