Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot në një dalje për mediet se, Tirana është mbushur me plehra në çdo lagje.
“Përgjatë javëve të fundit, e kemi parë të gjithë se si plehrat kanë pushtuar rrugët dhe trotuaret. Koshat e mbushur që kanë qëndruar me ditë të tëra në temperatura deri në 40 gradë vijojnë të mbeten rrezik për përhapjen e sëmundjeve”, tha ajo.
“Sot, Tirana, qyteti me ajrin më të ndotur, sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i publikuar së fundmi, po mbulohet edhe nga plehrat. Qytetarët e Tiranës paguajnë 20 milionë euro në vit për kompaninë Eco Tirana, e cila duhet të përgjigjet për të gjithë territorin e kryeqytetit. 60 mijë euro dalin çdo ditë nga xhepat e taksapaguesve për të shkuar në xhepat e saj”, theksoi më tej Xhixho.
Xhixho shtoi se, “e gjithë kjo situatë skandaloze vjen në kulmin e skandalit të transportit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës”.
“Heshtja dhe mosdhënia e asnjë sqarimi nga institucionet përgjegjëse për një çështje që ka të bëjë me shëndetin tonë, tregon në fakt se kemi të bëjmë me përfshirjen e vendit në Trafikim Ndërkombëtar të Mbetjeve të rrezikshme, jashtë protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare. Kthimi i rreth 1600 ton mbetjeve toksike, si pasojë e këtij transporti të paligjshëm, cenon rëndë shëndetin e qytetarëve”, tha ajo.
Xhixho theksoi se, PL nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një kosh mbeturinash.
“Ne nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një kosh mbeturinash nga një qeveri që i sheh ato si mekanizmin e radhës për të mbushur xhepat. Ndaj Partia e Lirisë do të denoncojë me fakte çdo skandal që lidhet me mbetjet sepse shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë interesi i saj parësor”, tha ajo./ata