Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni thekson se politikëbërësit duhet të dyfishojnë përpjekjet në fushat ku progresi ka mbetur prapa, si për shembull në menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore, ose në rritjen e shpenzimeve për teknologjinë, kërkimin dhe inovacionin.

“Sipas OECD IN 2024 Shqipëria shënon rezultate mbi mesataren rajonale në disa fusha si antikorrupsioni, arsimi dhe punësimi – urime për këtë! Në të njëjtën kohë, politikëbërësit duhet të dyfishojnë përpjekjet në fushat ku progresi ka mbetur prapa, si për shembull në menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore, ose në rritjen e shpenzimeve për teknologjinë, kërkimin dhe inovacionin”, citohet mesazhi i Delegacionit.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për reforma dhe rritje të qëndrueshme.

“Perspektiva e Konkurrueshmërisë nënvizon qartë se ka shumë potencial të pashfrytëzuar për bashkëpunim rajonal në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Plani i Rritjes së BE-së synon të ofrojë stimuj të rinj në këtë fushë. Forcimi i qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit është thelbësor për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Është premtuese që sipas këtij plani Shqipëria angazhohet të krijojë një kuadër investimi më transparent. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për reforma dhe rritje të qëndrueshme”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato./ata