Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku bërë thirrje qeverisë për të rishikuar politikat e saj në fushën e bujqësisë.
Sipas Tabakut, bujqësia po përballet me një krizë të vazhdueshme.
Tabaku shprehet se ulja e buxhetit për bujqësinë me 2.5 milionë euro, në një kohë kur rritja ekonomike e vendit është sporadike, dhe ku bujqësia është rritur vetëm me 1.2% në një dekadë, është një hap i gabuar dhe i papranueshëm.
Sipas saj, për tre ose katër vitet e fundit, sektori bujqësor nuk ka shënuar asnjë rritje, dhe vëmendja e qeverisë është minimale, thekson deputetja.
Një tjetër problem, që ajo ngre, është mungesa e fondeve të IPARD, të cilat, sipas saj, janë përvetësuar përmes aferave korruptive dhe kanë përfunduar në duar të pakta.
Ajo e lidh këtë situatë me rritjen e importeve ushqimore, që këtë vit thekson ajo janë rritur me 22%. Ndër të tjera ajo vë në dukje se produktet e fermerëve vendas shpesh përfundojnë të pashitura.
“Vetëm në muajt e verës, importet janë rritur me pothuajse 20%, një tregues i qartë i politikave të dështuara të qeverisë”, nënvizon Tabaku.
Sipas Tabakut, 300 mijë fermerët shqiptarë, të cilët mbështeten te ky sektor për jetesën e tyre, janë braktisur nga qeveria, e cila në vend që të mbështesë shumicën, vijon të përqendrojë burimet për një pakicë të privilegjuar.
Tabaku bën thirrje për një buxhet që të jetë në shërbim të fermerëve dhe për politika më të përgjegjshme për të ringjallur sektorin jetik të bujqësisë./ata