Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një takim dypalësh në MEPJ, Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Ministri Hasani u shpreh se Shqipëria ka përparuar në zbatimin e axhendës së reformave për integrimin në BE, teksa theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit për vendet e rajonit.
“Rikonfirmuam edhe një herë angazhimin për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë forimin e lidhjeve ekonomike. Vlerësuam se ka ende punë thelbësore për të bërë në fusha si tregtia apo investimet dhe përfitoj nga ky rast për të ftuar kompanitë Finlandeze të investojnë në Shqipëri. Ekspertiza dhe përvoja e tyre do të ishin shumë të vlefshme për tregun shqiptar dhe homologët e tyre.
Një event i rëndësishëm që do të zhvillohet në Tiranë në tetor të këtij viti “Slush’D”, është një shembull sesi mund të promovohet biznesi midis dy vendeve dhe shpresojmë që kompanitë tona të marrin pjesë në “Slush në Helsinki në të ardhmen”, u shpreh ministri Hasani.
Ministrja Elina Valtonen theksoi se Finlanda do vijojë mbështetjen e saj ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE, teksa nënvizoi rëndësinë e përforcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në OSBE, kryesimin e së cilës Finlanda e merr vitin tjetër.
“OSBE-ja ka një rol të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar vendet në forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Dhe nga këto reforma, natyrisht, do të përfitojnë njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe do të shërbejnë edhe si përmbushje e kushteve për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Dhe mirëpres bashkëpunimin me Shqipërinë, pasi Finlanda do të marrë kryesimin e Organizatës vitin e ardhshëm dhe dua të falënderoj gjithashtu Shqipërinë, si dhe Ministrin Hassani personalisht për angazhimin e tij dhe punën e tij gjithëpërfshirëse për dhe në Organizatën e deritanishme. Faleminderit shumë që më pritët mua dhe ekipin tim, dhe mirëpres bashkëpunim akoma dhe më intensiv në të ardhmen”, tha ajo.
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës janë vendosur më 27 gusht 1956. Të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe një dialog politik që po intensifikohet./ata