“Nëpër gjurmët e Tasos” titullohet ekspozita e hapur mbrëmjen e djeshme në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri.

Ekspozita e artistit Anastas Kostandini (Taso), kuruar nga Rubin Kadiu mblodhi në natën e hapjes shumë personalitete të artit, kulturës, ekranit por edhe të politikës dhe jetës sociale në vend, në një mbrëmje ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Ekspozita me veprat e Tasos fton të eksplorojmë sfera të njohura dhe fantastike të artistit dhe na udhëheq përmes një narrative të endur me simbolika, me ngjyra dhe teksturë, duke shpalosur thelbin e shpirtit të tij krijues e duke manifestuar ndikimin e thellë në skenën e artit bashkëkohor.

Vetë artisti ndërsa përshëndeti të ftuarit në çeljen e ekspozitës theksoi se atij i intereson më së shumti në punën e tij krijuese ajo që është periferike, që nuk merret në konsideratë, që nuk është apriori e vlefshme për një motiv arti.

“Duke jetuar thellë jetën timë në një kohëzgjatje të madhe, përpiqem të shikoj atë që çlirohet nga Pogradeci dhe që ka një peizazh marramendës ndaj edhe e dua Mion”, theksoi Taso.

Kryeministri Rama e cilësoi ekspozitën e Tasos një tjetër moment të veçantë nga jeta e përditshme në katin e parë të kryeministrisë, ku Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) i ka krijuar publikut një hapësirë arti, kulture, informimi pas dyerve të një institucioni qendror deri dje të mbyllur e të rrethuar me gardhe hekuri.

Kryeministri Rama në fjalën e tij shprehu shpresën që aktivitetet e COD të zgjerohen dhe më shumë njerëz ta shfrytëzojnë këtë hapësirë.

“Është një hapësirë e lirë për të gjithë dhe në linjën e përcaktimit të ekspozitave pak nga pak është krijuar një strukturë e cila vepron në mënyrë krejtësisht autonome. Kështu që shpresoj që shumë njerëz ta kapërcejnë edhe një lloj paragjykimi të vetëdijshëm ose të pavetëdijshëm që ka të bëjë me godinën dhe të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve”, u shpreh Rama.

I ndikuar nga veprat e mjeshtërve, si Picasso, Dali dhe Kandinsky, Tasoja ngulmon për të bashkuar traditën me të renë, duke i hapur rrugën stilit të tij të veçantë.

Anastas Kostandini lindi në Pogradec (29 korrik 1954), qytet ku jeton ende sot.

Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Pikturë Monumentale). Një nga punimet më të njohura ku Tasoja është bashkautor, është mozaiku “Albania” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 1991 iu dha titulli “Piktor i merituar”.

Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar një mori ekspozitash vetjake e kolektive./ata