Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fjoralba Dizdari kërkoi sot që institucionet të marrin masa për mbetjet toksike që po kthehen në Shqipëri.
Në një deklaratë për medie ajo u shpreh se qeveria nuk u përgjigjet pyetjeve të opozitës dhe opinionit publik lidhur me çështjen.
“Segmente të caktuara të administratës shtetërore po përpiqen, të shpërqendrojnë vëmendjen, jo vetëm të publikut të gjerë duke e hedhur fajin sa brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që në arenën ndërkombëtare po akuzohet Shqipëria”, tha ajo.
Dizdari i bëri thirrje SPAK -ut të nisë hetimet.
“Tashmë qytetarët shqiptarë janë më të pambrojturit në Evropë dhe rajon. 800 ton mbetje toksike me origjinë nga Porti i Durrësit dhe destinacion Azinë Juglindore, po rikthehen në Shqipëri pasi dyshohet se janë mbetje me rrezikshmëri të lartë”, tha ajo.
Dizdari u bëri thirrje institucioneve të marrin masa për sigurimin e mbetjeve të rrezikshme të depozituara në mënyrë natyrore në kalatën lindore pasi, në këtë port përpunohen anije që transportojnë artikuj ushqimorë të paketuara apo jo (grurë rifuxho) dhe që mund të kontaminohen nga depozitimi në natyrë i këtyre mbetjeve./ata