Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka shpallur listën përfundimtare të aplikantëve që do të përfitojnë mbështetje me subvencione nga buxheti i shtetit.

Referuar të dhënave zyrtare nga ky institucion, nga 15.591 aplikime që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes për 7 masat e Skemës Kombëtare, janë shpallur fitues përfundimtarë 4273 fermerë.

Konkretisht janë 441 grupime fermerësh dhe 89 fermerë individë që përfitojnë mbështetje financiare për fara dhe fidanë;

1722 fermerë do të përfitojnë nga mbështetja e dhënë për bletarinë në vlerën e 1 mijë lekëve për zgjua për ferma me të paktën 50 zgjoje.

Blegtoria ka dhe numrin më të lartë të përfituesve, me 2021 fermerë në total,  nga të cilët për mbështetjen për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit janë 70 dhe për tufën bazë të të imtave do të financohen 1951 fermerë.  Mbështetja për këtë sektor do të jetë në vlerën 10 mijë lekë për krerë për tufa me mbi 10 krerë lopë për fermë dhe për bagëtitë e imta do të jepen 1200 lekë për krerë për tufa mbi 100 krerë për fermë.

Sa të takon financimit të naftës, rezulton se nga 54.255 aplikime për mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi, janë përzgjedhur 23.190 prej tyre apo afro gjysma e fermerëve që kanë kërkuar mbështetje.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, fondit prej 3.2 miliardë lekësh do të shpërndahet në mënyrë proporcionale tek përfituesit, për të mos lënë asnjë pa mbështetje.  Pas shpalljes së listës, do të nisin procedurat për disbursimin e fondeve. Skema e mbështetjes me naftë këtë vit ka ndryshuar dhe nuk do të bëhet përmes kartave si vitet e kaluara, por me para’ të cilat do të kalojnë në llogaritë e fermerëve./Scan