Administrata publike është “rritur” me mbi 600 punonjës që nga muaji shkurt i këtij viti. Në aktin normativ të miratuar së fundmi nga qeveria për ndryshime në buxhet, përcaktohet se numri i punonjësve buxhetorë në shtet regjistrohet në 85.974 individë dhe në raport me aktin normativ të muajit shkurt ky numër është shtuar 628 punonjës, pasi në të rezultonin të punësuar 85.346 të tillë. Ndërsa në krahasim me buxhetin fillestar, rritja është me 800 punonjës.
Numrin më të lartë të punonjësve e ka Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku përfshihen mësuesit, regjistruar në 31 mijë, ndjekur nga Ministria e Brendshme ku përfshihen punonjësit e policisë, institucion i cili ka në varësi 15.796 punonjës.
Ajo që vihet re është se në raport me aktin e parë normativ për ndryshime në buxhet, Ministria e Brendshme ka shtuar numrin e punonjësve me 500 individë. Po ashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është rritur me 80 punonjës,.
Institucionet e tjera qeveritare ku përfshihen kryesisht agjencitë kanë një numër total punonjësish prej 1,560, dhe kanë pësuar një rritje modeste prej 7 punonjësish.
Reforma e rritjes së pagave e ndërmarrë në 2023-shin dhe që ka vijuar edhe këtë vit e ka bërë më të lakmuar administratën shtetërore për punësim.
Me rritjen e fundit e cila ka hyrë në fuqi në muajin korrik, paga mesatare në shtet ka arritur në nivelin mbi 900 euro në muaj dhe hendeku midis pagës mesatare në sektorin publik dhe atë privat është thelluar ndjeshëm. Nga ana tjetër administrata ka të shpallura ende vakanca për pozicione të ndryshme të cilat janë të pa plotësuara me staf./Scan