Këshilli për Legjislacionin u mblodh sot për të diskutuar mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit, Tatimin e Profesioneve të Lira, si dhe ligjin për Komisionet Hetimore.

Në fillim të mbledhjes, kryetarja e Këshillit, Dhurata Çupi u shpreh se “Gjykata Kushtetuese ka gjetur Kuvendin në shkelje për sa i përket Rregullores së Kuvendit”.

“Gjykata, ka theksuar se ndryshimet në ligj, kanë dëmtuar bashkëjetesën në Kuvend. Ndryshimet e rregullores së Kuvendit duhet të jenë transparente dhe konsensuale”, u shpreh Çupi.

Sipas saj, “ndryshimet e njëanshme, për më tepër ashpërsimi i masave, dëmtojnë demokracinë parlamentare”.

Lidhur me tatimin e profesioneve të lira, Çupi theksoi se “mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me këstet që profesionet e lira kanë paguar”.

“Duhet të ndërmarrim një nisme ligjore për kompensimin dhe rimbursimin e të gjithë atyre profesionistëve të cilët i kanë paguar këstet”, shtoi ajo.

Nga ana e saj, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka propozoi përcaktimin e relatorëve nga ana e mazhorancës dhe e opozitës për hartimin e raporteve përkatëse për secilën çështje.

“Të caktojmë dy relatorë që të përgatisin një raport. Eduard Shalsi propozohet të jetë relator për çështjen e ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Në lidhje me rregulloren e Kuvendit ne propozojmë për relator Toni Gogun. Lidhur me vendimin që ka lidhje me ligjin për organizimin e komisioneve hetimore propozojmë si relatore Ermonela Felaj”, tha Bushka.

Kur raportet të jenë gati, sipas saj, “do të jenë objekt i diskutimeve në këtë Këshill”.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se “mazhoranca po sillet sikur është në një situatë normale”.

“Në fakt ky Kuvend nuk është në situatë normale. Në vetëm 2 muaj, Gjykata Kushtetuese ka gjetur 4 herë këtë mazhorancë në shkelje. Përcaktuat rregulla shtypëse për opozitën dhe kërkoni ndjesë për bllokimin e komisioneve hetimore. Dhe akoma më shumë kërkoni ndjesë për reprezaljen që bëtë ndaj 30 mijë intelektualëve dhe profesionistëve të lirë”, tha ai.

Bardhi theksoi se duhet menjëherë të kemi një iniciativë ligjore që secilit prej profesionistëve të lirë t’i kthehen mbrapsht ato para qe janë paguar për shkak të një ligji antikushtetues. Çdo akt zvarritje do të ishte i turpshëm”, tha ai.

Në përfundim të mbledhjes, Çupi theksoi se të treja vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtohen me procedurë parlamentare dhe nuk do të dërgohen në qeveri.

“Do të ketë propozime dhe nisma nga deputetët dhe do të ketë një raport nga Këshilli i Legjislacionit me një relator nga opozita dhe një nga mazhoranca. Me urgjencë duhet të trajtojmë vendimin për tatimin e profesioneve të lira”, tha Çupi./ata