Këshilli i Legjislacionit u mblodh sot për shqyrtimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e saj, Felaj tha se, objekti i kësaj mbledhjeje lidhet me shqyrtimin dhe analizimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë efekte në legjislacion.
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi tha se, “kryetarja e Kuvendit po përdoret nga mazhoranca, dhe se ka vonuar 3 muaj mbledhjen, duke mos thirrur Këshillin e Legjislacionit”.
Nga ana e saj, deputetja e PS, Klotilda Bushka, propozoi se, “për vendimin e Gjykatës Kushtetues për çështjet zgjedhore të jetë Toni Gogu relator, me Kodin Penal, Etilda Gjonaj, për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, Klotilda Bushka. Për vendimet që lidhen me të drejtat civile, siç është Kodi i Procedurës Civile, mendoj të jetë Etilda Gjonaj, ndërsa Toni Gogu të jetë relator për vendimet që lidhen me pagat e magjistratëve”.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Gazmend Bardhi tha se, “ne as nuk biem dakord me relatorët dhe as nuk caktojmë relatorin”.
“E kuptojmë që kërkoni ta zgjasni këtë çështje, vazhdoni e zgjateni, ne e kemi gati rekomandimin tonë”, tha ai.
Këshilli i Legjislacionit në fund të mbledhjes miratoi relatorët, ndërsa mbledhja e radhës u caktua më 29 Mars.