Më 6 gusht, në një lëvizje të befasishme, forca të freskëta dhe të trajnuara mirë ukrainase hynë në rajonin Kursk të Rusisë. Ata arrijnë ta pushtojnë atë. Arrijnë të kapërcejnë rekrutët rusë në kufi dhe si “thika nëpër gjalpë”, pushtojnë 1200 kilometra katrorë. Ushtarët ukrainas përparojnë në bordin e mjeteve të blinduara ushtarake amerikane dhe tankeve britanike, shkruan e përditshmja italiane, Corriere. Moska tregon imazhet dhe thotë: “E shihni? Është NATO ajo që na sulmon”! Zhvillimet kanë bërë që edhe analistët të tregohen të kujdesshëm lidhur me atë se çfarë e pret rajonin e trazuar në Lindje.
Vetëm në javën e dytë të pushtimit vjen “një gjysmë bekimi” nga Pentagoni: “Përdorimi i armëve amerikane në Kursk është në përputhje me marrëveshjet, shërben për të mbrojtur Ukrainën”.
Mjetet e gjurmuara janë një gjë, raketat me rreze të gjatë veprimi janë një tjetër.
Për “Atacms” dhe sistemet e tjera të armëve që mund të godasin thellë në brendësi të Rusisë, ndalimi i përdorimit të tyre mbetet në fuqi.
Një muaj pas thyerjes së tabusë, pushtimit të territorit sovran të një fuqie bërthamore, ukrainasit në Kursk po hapin llogore, duke u përgatitur për të kaluar dimrin në shtëpinë e armikut. Ndërsa presin dritën e plotë jeshile perëndimore për të përdorur Atacms (rreze 300 kilometra), ata mjaftohen me dronët e bërë vetë.
Të shtunën, mjete ajrore pa pilot nga Kievi goditën një depo armësh në Voronish, në territorin rus rreth 100 kilometra nga kufiri ukrainas. Ishte një magazinë për raketat Iskander dhe raketa të reja koreane, dje pati sërish shpërthime. Dronët e prodhuar në Ukrainë mund të udhëtojnë deri në 600 kilometra, por ato mbajnë një ngarkesë relativisht të vogël shpërthyese dhe goditjet si ajo e së shtunës janë të rralla. Një raketë balistike si Atacms ose Himars ka një “kokë lufte” që shkon deri në 240 kilogramë.
“Me ato raketa do të ishim në gjendje të shkatërronim pjesën e thellë ruse, të ndërpresim linjat e tyre logjistike, të kufizojmë furnizimet në llogore. Kur ia paraqitëm propozimin amerikanëve, Këshilltari i Sigurisë i SHBA-së, Jake Sullivan, argumentoi se do të ishte e kot të jepeshin raketa për të goditur aeroportet, sepse rusët tashmë i kanë zhvendosur avionët luftarakë-bombardues më larg. Mund të jetë gjithashtu e vërtetë, por brenda rrezes së Atacms numërojmë 250 objektiva ushtarakë. Janë depo armësh, qendra logjistike, kazerma, riparime, nyje hekurudhore dhe rrugore“, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Koloneli Oleh Zhdanov, ish-stafi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës dhe analist i njohur ushtarak, do të donte më shumë F16 (“ne kemi 9, qesharake”, thotë ai), më shumë anti-ajrorë, më shumë raketa, më shumë sisteme elektronike për bllokimin e raketave dhe dronëve të armikut. Dhe mbi të gjitha ai do të donte të ishte në gjendje t’i përdorte ato.
“Rusinë nuk e pengon kjush. javën e fundit ajo ka përdorur thuajse një ton bomba rrëshqitëse, 300 dronë iranianë dhe 60 raketa të llojeve të ndryshme kundër pjesës perëndimore të Ukrainës. Koreanët tashmë kanë ardhur, së shpejti do të mund të punësojnë edhe iranianët. Unë e kuptoj frikën për të parë një vend me 140 milionë banorë të bjerë në kaos për shkak të humbjes, por ne nuk mund të vazhdojmë të vdesim nga frika e fitores”, shprehet Zhdanov.
Putini është në thelb i heshtur. Por presidenti Biden gjithashtu ka shmangur komentet. Ndërsa Zelensky nuk druhet të shqiptojë fjalët: “Nuk ka vija të kuqe, aleatët tanë nuk duhet të kenë frikë nga reagimet e Moskës. Për të fituar ne duhet të jemi në gjendje të përdorim të gjitha armët perëndimore”.
Një film i parë tashmë.
Ukrainasit që në vitin 2022 po bëjnë thirrje për raketa antitank për të zmbrapsur tanket që hyjnë nga të gjitha anët. Perëndimorët që hezitojnë, kanë frikë të provokojnë Moskën dhe më në fund lejojnë forcat antitank që të shkatërrojnë kolonat ushtarake ruse. Më pas radha e mjeteve të blinduara, tankeve, raketave balistike dhe në fund avionët luftarakë F16. Gjithmonë ukrainasit pyesin, perëndimorët kanë frikë nga reagimi bërthamor rus, por më pas ata i lejojnë ato…/BalkanWeb