‘Rrugët e florinjta’ të qeverisë siç i cilëson opozita kanë shkaktuar debate në komisionin e Ligjeve ku po diskutohej aktit normativ për rishikimin e buxhetit për vitin 2024.
‘Rreth 4 muajsh pasi ishin miratuar vlerat e projekteve keni shtuar rreth 260 milionë euro si faturë vetëm për 3 projekte. Bëhet fjalë për projektin zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, projekti Tiranë-Ndroq-Plepa dhe baypass i Elbasanit. Ju keni pranuar dyfishuar vlerat e projekteve me 260 mln euro. Pa bërë studim të ri fizibiliteti. Çfarë ju shtyu për këto ndryshime?’, pyeti Bardhi ministrin e Financave.
Për shtimin e faturës së projekteve rrugore, Ministri i Financave Petrit Malaj tha se kërkesa është bërë nga Ministria e Infrastrukturës.
‘Janë të gjitha vlerat për të cilat kanë ardhur analizat nga ministritë e linjës, në këtë rast nga Ministria e Infrastrukturës për rishikimin e vlerave. Po ju marr vetëm projektin e Tiranë-Durrës, që ishte projekt i 2010 dhe kishin nevojë të reflektonin si kostot e ndërtimit e ashtu edhe efektin e kursit të këmbimit’, tha ministri.
Pas kësaj përgjigje kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se ky abuzim ka një emër, dhe është i njëjti me atë të tunelit të Llogarasë, që u rritën kostot duke dëmtuar buxhetin.
‘Këtu bëhet fjalë për të njëjtën zonjë (Balluku), tunelin e Llogarasë e çoi nga 140 mln euro e çoi në 190 mln euro me një të rënë të lapsit, dhe u ndërtua nga e njëjta kompani që kishte propozuar 140 mln euro dhe buxheti humbi 50 mln euro. Unë nuk bie dakord me atë që thotë ministri, se unë firmos gjithçka që më sjell Belinda Balluku. Kjo ka dhënë prova që milionat e eurove i ka karamele’, theksoi Bardhi.
Tre projektet e përmendura në debat janë pjesë e dokumentin e rishikuar të Politikave Prioritare 2025-2027, ku kostoja e zgjerimit të Tiranë-Durrës nga 205 milionë euro shkoi në 298.8 milionë euro.
Rruga e re Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbej si alternative nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë, është rritur në 87 milionë euro, nga 39.8 milionë euro që ishte. Ndërsa fatura e Baypassit të Elbasanit ishte planifikuar në 97.3 milionë euro, ndërsa tashmë ka arritur në 240 milionë euro./Shqiptarja