Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Taulant Balla, ka prezantuar sot në Komisionin për Politikën e Jashtme, projektligjin për anëtarësimin e Shqipërisë në Qendrën Europiane të Ekselencës Hibride.
Në fjalën e tij, Balla tha se qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë memorandum ka të bëjë tërësisht me një nevojë të shtuar sa i përket përballimit të kërcënimeve hibride të cilat përfshijnë një gamë të gjerë veprimesh, të cilat rrezikojnë stabilitetin, sigurinë dhe proceset demokratike.
“Këto kërcënime vijojnë të bëhen çdo ditë edhe më të sofistikuara dhe më të përhapura në mbarë botën, duke përfshirë këtu në mënyrë specifike sulmet kibernetike, fenomenin e desinformimit, ndërhyrjet në proceset demokratike dhe formave të tjera të ndikimeve malinje, që cënojnë sovranitetin dhe sigurinë e shteteve. Për të adresuar këto problematika, por edhe për të forcuar qëndrueshmërinë e vendit tonë, kemi vlerësuar si të domosdoshëm anëtarësimin e Shqipërisë në një mekanizëm, sikurse është Qendra Europiane e Eksclencës së Kërcënimeve Hibride”, tha ministri Balla.
Qendra Europiane e Ekselencës së Kërcënimeve Hibride është një organizatë ndërkombëtare autonome, e cila ka mision pikërisht forcimin e qëndrueshmërisë dhe aftësive të vendeve anëtare për të përballuar sulmet dhe kërcenimet hibride. Selia e kësaj qëndre ndodhet në Helsinki në Finlandë dhe partnerë të saj janë një numër i madh shtetesh europiane, partnerë të NATO-s, të cilët bashkëpunojnë dhe ndajnë eksperiencasa sa i përket përvojave për të zhvilluar strategji të përbashkëta ndaj këtyre formave kërcënimi.
Sipas Ballës, kjo qendër luan një rol kyç sa i përket ekspertizës shumëdisiplinore në fusha të natyrës politike të natyrës ushtarake, ekonomike, sociale teknologjike edhe ligjore.
“Kjo qasje gjithëpërfshirëse është e rëndësishme për të garantuar një mbrojtje sa më efektive ndaj kërcënimeve hibride, të cilat janë të shumëllojshme, tanimë edhe shumë më të sofistikuara se kanë qenë më parë. Ato nuk prekin vetëm infrastrukturen kritiket të shtetit, por mos të harrojmë asnjëherë rëndësinë për të garantuar së pari një mbrojtje sa më efektive ndaj kërcënimeve, të cilat janë të shumëllojshme”, u shpreh Balla.
Ministri Balla theksoi se projektligji ka një rëndësi të veçantë sa i përket hapit të madh strategjik që Shqipëria hedh sa i përket sulmeve hibride.
“Ratifikimi i memorandumit të mirëkuptimit dhe pjesëmarrja jonë në Qendrën Europiane të ekselencës do ta vendosë në pozicion më të fortë se aktualisht për t’u përballuar me kërcënime hibride që po bëhen gjithmonë e më të sofistikuara”, tha Balla./ata