Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së,  deklaroi sot se “sfidë e sfidave mbetet që të bëjmë çmos për t’i rritur pensionet, por duke mos rënë në kurthin e ushqimit të iluzioneve”.

Në një takim me aplikanët e platformës “Deputeti që duam”, Rama u ndal te çështja e pensioneve.

“Sot jemi në pikën kur alternativa apo alternativat përballë qeverisjes së PS-së, ushqehen nga urrejtja ndaj nesh, nga mllefi, apo të dyja këto bashkë që degëzohen ose në qasje dhe veprime destruktive, ose në disa degëzime ku njerëz që i thonë vetes të rinj që përveç moshës së re nuk kanë asnjë gjë të re, përpiqen të mbingopin të tjerët me iluzione”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeverisja nuk është një burim iluzionesh, por është një përgjegjësi e madhe për të çuar vendin dhe njerëzit në drejtimin e duhur, duke arritur objektiva që kërkojnë punë të jashtëzakonshme, dije, eksperiencë, energji dhe harmonizimin e të gjitha gjërave bashkë.

“Nuk mjafton të thuash do t’i çojmë pensionet kaq, kemi dëgjuar lloj-lloj shifrash. Pensionet janë pjesa më e vështirë e të gjithë këtij procesi transformimi, janë pjesa më e vështirë sot për të gjithë politikën në të gjitha vendet, të pasura ose më pak të pasura, të zhvilluara apo vende në zhvillim. Sepse pensionet janë ato që shteti arrin të rishpërndajë në funksion të kontributeve që mbledh”, sqaroi Rama.

Kryeministri theksoi se “jemi shumë të vetëdijshëm që misioni ynë është i përmbushur në momentin kur ne i kemi dhënë rritjes ekonomike të pamohueshme dimensionin e saj gjithëpërfshirës dhe nga një rritje ekonomike që shihet qartësisht në shifra e fakte të ndihet në arkën e të gjitha kategorive familjare”.

“Ka një distancë për të pëtshkuar në mënyrë që të gjithë të marrin pjesën e tyre nga ekonomia gjithëpërfshirëse, por ndërkohë shteti të qëndrojë mbi themele të forta. Në mënyrë që të mos i harxhojmë të gjitha në fillim të muajit dhe pastaj të kolapsojmë të gjithë bashkë, por të garantojmë rritjen e qëndrueshme në një perspektivë shumë më të gjatë. Në këtë kuptim është e domosdoshme, absolute, një sfidë e sfidave që nga njëra anë të bëjmë çmos për t’i rritur pensionet por nga ana tjetër të mos biem asnjëherë në kurthin e ushqimit të iluzioneve, sepse ne nuk mundet dot t’i gënjejmë gjyshërit dhe gjyshet duke ju thënë ‘nëse na jepni votën ne do t’jua bëjmë pensionin 500 euro’. Kjo mund të ndodhë një ditë por jo sot”, shtoi ai.

Rama siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka dhe duke filluar nga ky vit, bonusi i fundvitit për pensionsitët do të jetë më i lartë se sa ai tradicionali.

Rama tha se “ne kemi një ekonomi që mund të na e japi atë që ne duhet të marrim prej saj për t’ja kaluar pensionistëve”.

“Këtu është dallimi i madh mes nesh dhe atyre që vijnë vërdallë sepse ata dinë vetëm një gjë, duan të rrëzojnë qeverinë e PS-së, por se çfarë të bëjnë pastaj me pushtetin nuk është e vështirë ta parashikosh”, tha Rama./ata