Qeveria shqiptare, me asistencën e Bankës Botërore janë duke hartuar reformën e re të pensioneve, sepse ajo e ndërmarrë rreth 1 dekadë më parë e ka kryer tashmë misionin e saj.
Në Scan Live u trajtuan pikërisht përfitimet që do të ketë qytetarët nga reforma e pensioneve, por edhe indeksimi sipas inflacionit, që do të nisë nga 1 tetori. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, deklaroi se në këtë reformë duhet të përfshihet domosdoshmërisht kolona e dytë, ajo e pensionit privat të detyrueshëm.
Ndërsa eksperti fiskal, Ramadan Kondi, solli një tezë të re, e cila mund të gjejë zbatim të ekonomitë me karakteristikat e Shqipërisë; logjika e kontributit për kontribuues.
Ndërsa në lidhje me indeksimin e pensioneve, që fillon të zbatohet në 1 tetor, ekspertët shprehen se rritja e pritshme e pensioneve nuk e kompenson plotësisht rritjen e çmimeve të shportës së produkteve të konsumit.
Që nga viti 1991, skema e sigurimeve shoqërore ka qenë deficitare dhe është financuar nga buxheti i shtetit. Tashmë, një reformë e plotë e pensioneve nënkupton aktivizimin e të treja shtyllave; pensioni shtetëror, pension privat të detyrueshëm dhe pension privat vullnetar. Shtylla e parë dhe e tretë janë aktive në vendin tonë, ndërsa shtylla e dytë është inekzistente./Scan