Pas depozitimit të kërkesës së opozitës në KQZ për regjistrimin e koalicionit zgjedhor “Bashkë Fitojmë”, ka reaguar Enkelejd Alibeaj.

 

Në një status në “Twitter”, Alibeaj shkruan se koalicioni përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD.

 

Ai thekson se përdorimi i siglës dhe i emrit të Partisë Demokratike është në kufijtë e një vepre penale.

 

“Depozitimi në KQZ për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD. Ky përdorim, i shkruar në një dokument zyrtar që ndodhet aktualisht në KQZ, është në kufijtë e një vepre penale.

 

PDSH nuk është regjistruar ende në KQZ, kjo falë tifozërisë politike të drejtuesit të saj. Në cilësinë si kryekomisioner, Celibashi duhet të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD.

 

Partia Demokratike mbetet në pritje të vendimit të nesërm të KAS. Çdo përdorim juridik në KQZ apo në institucione të tjera i emrit, siglës apo logos së saj është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe mashtrim për zgjedhesit”-shkruan Alibeaj.

 

Kujtojmë se nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari dorëzoi mbrëmjen e së mërkurës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit zgjedhor “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit.

 

Në koalicion marrin pjesë partitë: PL, grupimi i PD i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.