Në tre vitet e ardhshme, Qeveria planifikon të rrisë me rreth 21 për qind fondin për kompensimin e pronarëve, por nuk ka arritur ende të krijojë një skemë efektive mbi mënyrën, sesi do të bëhet ndarja e parave, duke qenë se është drejt skadimit edhe afati ligjor për përmbylljen e këtij procesi.

Duke iu referuar Ministrisë së Drejtësisë, për vitin e ardhshëm, Qeveria planifikon të adresojë rreth 4.9 miliardë lekë, apo 49 milionë dollarë për pronarët e shpronësuar në diktaturë. Thënë ndryshe 11 për qind më tepër në raport me këtë vit.

Për vitin 2026 fondi i vënë në dispozicion pritet të jetë rreth 5.3 miliardë lekë. E njejta shumë planifikohet edhe për vitin 2027, duke njohur në këtë mënyrë një rritje me rreth 21 për qind.

Megjithatë, shifrat e publikuara janë larg vlerave të planifikuara në ligjin e reformuar në 2016-n, ku përcaktohet një rritje progresive e fondit, gjë që në fakt nuk ka ndodhur.

Konkretisht, vitin e ardhshëm do të duheshin të transferoheshin në arkën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave 6.88 miliardë lekë ose rreth 68 milionë dollarë por fondi i parashikuar është 4.9 miliardë lekë dhe këtu përfshihet edhe fondi, që shkon për kompensimin e pronarëve, të shpronësuar për efekt të procesit legalizues.

Ndonëse, kanë kaluar thuajse 8 vite nga reforma e ndërmarrë në 2016, vetëm një numër i ulët dosjesh janë trajtuar. Kjo sa prej pakënaqësisë nga skema e re, aq edhe prej vështirësive të hasura në mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm

Mbi bazën e procedurave në fuqi, gjatë dorëzimit të kërkesës nga pronarët kërkohet konfirmimi nga Kadastra përkatëse mbi gjendjen juridike të pronës që kompensohet dhe nëse është ushtruar apo jo e drejta e parablerjes, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë, numër llogarie dhe dokument identifikimi. Nga ana tjetër, për të vërtetuar nëse një vendim është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, nuk nevojitet shkresë zyrtare, mjafton vetëm një deklaratë noteriale, e cila do të ketë të njëjtin funksion.

Në fund të këtij viti përfundon edhe afati për shqyrtimin e dosjeve pa vendim. Me rihapjen e afatit në vitin 2022, Agjencia e Trajtimit të Pronave ndërmori angazhimin për të rimarrë në shqyrtim më shumë se 7 mijë dosje të patrajtuara në fazën e pare. Por, teksa ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë, nuk ka ende asnjë vendimmarrje nga ana e agjencisë për këtë aplikime, duke iu lënë mtë vetmen mundësi këtyre famije që t’i drejtohen gjykatës./Scan