Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjithë pensionistët do të udhëtojnë falas me autobusë në Tiranë. Por, ende nuk ka një shifër të saktë se sa do të jetë numri i përfituesve, apo kostot për Bashkinë e Tiranës.

I ftuar në studion e Televizionit Scan, Dashnor Memaj, Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, deklaroi se palët janë ende në diskutime, ndërsa një mundësi mund të jetë pajisja e pensionistëve me karta, sikurse veprohet me kartën e studentit.

Gjithashtu, Mema u shpreh se çmimi i biletës së transportit urban në kryeqytet prej 40 lekë është i ulët dhe do të kërkohet rritje, pasi paralelisht po rritet edhe cilësia e shërbimeve.

Mema shtoi se korsitë e dedikuara për autobusët, instalimi i tabelave elektronike që tregojnë orarin e mbërritjes dhe biletat elektronike duhet të aplikohen sa më parë, pasi shpesh herë turistët e huaj hasin probleme me mënyrën se si funksionon transporti urban dhe interurban në Shqipëri./Scan