Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030, është nxjerrë për konsultim me publikun. Kjo strategji ka një kosto të përgjithshme rreth 4.48 miliardë lekë ose 42.7 milionë euro e cila është përllogaritur për zbatimin e planit të veprimit.
Për të arritur objektivat, kjo strategji ka në fokus pesë qëllime kryesore.
Qëllimi i parë i politikës është konsolidimi dhe qëndrueshmëria e arritjeve të reformës në drejtësi në përputhje me standardet europiane. Ky qëllim synon përfundimin, brenda afateve kushtetuese të procesit të rivlerësimit kalimtar të të gjithë subjekteve të këtij procesi, duke ruajtur dhe konsoliduar praktikat më të mira të krijuara deri më tani, si rezultat i reformës në Drejtësi.
Qëllimi i dytë i politikës synon të forcojë pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë, me qëllim për të garantuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve duke eliminuar ndikimet e jashtme.
Ndërkohë qëllimi i tretë i politikës synon të rrisë efikasitetin e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, duke përmirësuar kapacitetet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjykatës së Lartë dhe të gjykatave. Ajo që është parashikuar në qëllimin e katërt është forcimi i cilësisë së drejtësisë ndërsa qëllimi i fundit ka fokus forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe synon drejtësi më të afër me qytetarët.
Për periudhën afat mesme 2024-2026 kostoja është vlerësuar rreth 2.85 miliardë lekë tëcilat janë planifikuar në buxhetin vjetor. Për periudhën 2027-2030 kostoja indikative për zbatimin e Strategjisë është rreth 1.15 miliardë lekë./Scan