Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot në Kuvend se mësuesit dhe punonjësit në sistemin arsimor janë sot më të motivuar për shkak të mbështetjes së rëndësishme që kanë marrë nga qeveria.

Gjate diskutimit te Aktit Normativ te Qeverise per disa ndryshime ne Buxhetin e Shtetit, Manastirliu theksoi se, “me ndryshimet e propozuara në buxhet, janë shtuar 450 milionë lekë në financimin e sistemit arsimor, si dhe për mbështetje në paga për mësuesit. Nëse kemi sot mësues të motivuar, kjo është për shkak të mbështetjes që kanë patur, duke përfshirë rritjen e pagave, e cila ka qenë më e larta ndonjëherë.”

Manastirliu nënvizoi se rritja e pagave është bërë në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, duke arritur në një mesatare prej 950 eurosh për mësues. “Pagat janë rritur jo vetëm për 31,000 mësuesit e sistemit arsimor, por edhe për punonjësit e kopshteve dhe çerdheve, si dhe oficerët e sigurisë në shkolla. Reforma e pagave ka prekur të gjithë ata profesionistë që sot janë jo vetëm më të motivuar, por gjithashtu u është rritur dinjiteti,” tha ajo.

Manastirliu theksoi gjithashtu se një fokus i veçantë është vendosur në shtimin e laboratorëve SMART. “Mësuesit dhe nxënësit sot janë më të motivuar, jo vetëm për shkak të infrastrukturës në shkolla, por edhe për shkak të zgjerimit të laboratorëve SMART. Janë shtuar 216 laboratorë të rinj, duke përfshirë 35,000 fëmijë të arsimit fillor në kurrikulën e re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit,” theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e shtimit të mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe, apo me nevoja të veçanta. “Numri i punonjësve psikosocial është rritur me 50, duke e çuar në 850 numrin e tyre në total. Po ashtu, këtë vit do të kemi 240 oficerë sigurie më shumë krahasuar me vitin e kaluar,” shtoi Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit kujtoi dhe nismën për librat falas. “Këtë vit, më shumë se 238 mijë nxënës kanë përfituar libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milionë dollarë të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, tha Manastirliu./ata