Formati i ri i Champions League përkthehet edhe në shpërblime të mëdha financiare që klubet pjesëmarrëse do të përfitojnë. Gjithçka nis që nga faza e parë, që zgjat deri në janar, me nga tetë ndeshje për secilën skuadër, e deri te bonusi që do të ndahet mes skuadrave. Shuma totale që do të shpërndahet është afro 2,5 miliardë euro. Ndërkohë nëse flasim për Europa League, shpërblimet janë 565 milionë euro, ndërsa në Conference League arrijnë në 285 milionë.
Nëse do të bënim një krahasim me edicionin e kaluar të Champions League, më formatin e saj të vjetër, shpërblimet janë rritur me 500 milionë euro.
Real Madrid, në finalen e “Wembley”-t kundër Borussia Dortmund, jo vetëm që shtoi trofeun e pesëmbëdhjetë të Champions League në historinë e vet, por edhe milionat që u derdhën në arkat e klubit ishin një tjetër rekord, plot 137,4 milionë euro.
Ndërsa këtë vit, kushdo që triumfon më finalen e 31 maj në Mynih mund të fitojë deri në 150-160 milionë të ardhura. Bonus ka dhe për çdo rezultat, një fitore në fazën e parë, që këtë edicion është në formulën e kampionatit, përcakton një “shpërblim” prej 2.1 milionë euro ndërsa barazimi vlen 700 mijë euro. Që në fazën e parë janë përcaktuar përballje titanësh me emra të mëdhenj të futbollit botëror me takimet e para që nisin në 17 shtator. Spektakli dhe emocionet janë të garantuara. /Tema