Dokumentari i Agjencisë Anadolu (AA) “Dëshmia” u shfaq para audiencës në Sarajevë në Festivalin e 7-të Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC), organizuar nga Al Jazeera Balkans në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në festival, ku AA është Partneri Global i Komunikimit, në shfaqjen e filmit që zbulon krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Sarajevë, Sadık Babür Girgin, ambasadori palestinez në Sarajevë Abdurezaq Namoora, producenti në terren i filmit Ömer Faruk Tunç dhe shumë sarajevas.

Në deklaratën e tij për korrespondentin e AA-së, Tunç tha: “Ideja e dokumentarit u bazua në disa prova të siguruara nga fotoreporterët tanë në Gaza. Ne kapëm fotografi dhe pamje serioze që tregonin se aty përdoreshin bomba me fosfor të bardhë”.

Duke theksuar se kërkimi dhe prodhimi i dokumentarit mbi këtë temë ishte parashikuar me udhëzimet e drejtorit të përgjithshëm të AA-së Serdar Karagöz, Tunç deklaroi: “Më parë është botuar një libër ‘Dëshmia’ si një fotoarkiv me detaje dhe prova vizuale. Bazuar në këtë libër, ne filluam të zgjeronim dokumentet në formë dokumentari”.

Tunç tha se ata u takuan me Amnesty International, e cila përdori dokumentet. “Ne morëm informacione për punën e tyre në terren. Më vonë morëm intervista nga ekspertë ndërkombëtarë, zyrtarë të Kombeve të Bashkuara (OKB), ish-juristë izraelitë dhe shumë zyrtarë të tjerë”.

Ai tha se këtë vit, AJB DOC është organizuar me temën “Drejtësi?”. “Gjithashtu mendojmë se drejtësia mund të arrihet më mirë me dëshmi, sepse drejtësi do të thotë dëshmi”, tha ai.

 

- “Pas këtij dokumentari, njerëzit do të shohin të vërtetën”

Ambasadori palestinez Namoora theksoi se Izraeli sulmoi civilët në Gaza me bomba fosfori dhe se kjo kishte një ndikim jashtëzakonisht negativ si në shëndet, ashtu edhe në mjedis.

Kada Hotiq, nënkryetare e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës dhe Zepës, e cila mori pjesë në shfaqje, kujtoi se Bosnjë dhe Hercegovina ndau një fat të ngjashëm me Gazën. “Dua të pyes gjithë botën, sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin në Gaza?”, u shpreh ajo.

Majeed Marouf, president i Komunitetit Palestinez në Bosnjë dhe Hercegovinë, nënvizoi se është shumë e rëndësishme që shfaqet një dokumentar i tillë, duke shtuar: “Gjenocidi dhe mizoritë që po ndodhin në Gaza duhet të vërtetohen. Evropa dhe e gjithë bota duhet të shohin faktet. Pas këtij dokumentari, njerëzit do të shohin të vërtetën dhe do të habiten nga provat e shfaqura”.

Pas shfaqjes, Tunç iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, ndërsa të ftuarve iu dhurua libri “Dëshmia” nga AA.

 

- Palesitna në fokus të festivalit

Në AJB DOC këtë vit, i cili u hap dje dhe do të vazhdojë deri më 17 shtator, diskutohet për vuajtjet e popullit palestinez nga sulmet izraelite.

Festivali përfshin 24 dokumentarë, si për dhunën e Izraelit kundër palestinezëve, si dhe për ekonominë botërore dhe trazirat politike.

Anëtarë të jurisë së festivalit janë caktuar Deborah London-Harrington, Namik Kabil, Mila Turajlic, Francesco Montagner dhe Myriam Francois.

Në pjesën konkuruese të AJB DOC do të jepen tri çmime: “Çmimi kryesor AJB”, “Çmimi i Programit AJB” dhe “Çmimi i Audiencës”.

Në festival do të mbahen panele dhe program i Ditëve të Industrisë./aa