Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se, “Bashkimi Evropian në bashkëpunim me SHBA-në, i kanë ofruar Kosovës, Serbisë dhe rajonit një portë të hapur të së ardhmes në paqe”.

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, në Tiranë, me dy zyrtarët e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Oliver Varhelyi, Rama deklaroi s,e “ne e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

 

“Në këndvështrimin tonë dokumenti i normalizimit i paraqitur prej jush është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

 

“Dua të besoj me gjithë zemër dhe mendje se as njëra palë, as tjetra nuk do t’ia lejojnë vetes të mos e përqafojnë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij”, theksoi Rama.

 

Rama tha se, “realisht, BE në bashkëpunim me SHBA-në, i kanë ofruar Kosovës, Serbisë rajonit dhe gjeneratave të tjera, një rrugë të re, një portë të hapur të së ardhmes në paqe dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në përmbylljen përfundimtare të procesit të njohjes reciproke”.