State Street është një bankë e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Muajt e fundit ajo ka investuar rreth 70 milionë euro për të blerë letra me vlerë të qeverisë shqiptare. Kapitali ka mësuar se banka amerikanë ka blerë rreth 7 miliardë lekë obligacione me afat maturimi 3 dhe 5 vjet. Operacioni është zhvilluar përmes bankës Raiffeisen në Shqipëri.

Por State Street nuk është banka e vetme e huaj, që po investon në blerjen e borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Janë edhe disa institucione të tjera financiare nga jashtë, të cilat gjatë verës kanë blerë rreth 3 miliardë lekë të tjera letra me vlerë duke e çuar totalin e blerjeve në gati 100 milionë euro.

Kjo është hera e parë në histori, që një banka e huaj ble borxhin e qeverisë shqiptare në lekë, përmes bonove që emeton ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Deri më tani, blerja e borxhit të brendshëm që qeveria shqiptare emeton në lek, ka qenë domain ekskluziv i bankave, institucioneve financiare apo qytetarëve shqiptarë.

Hyrja e bankave të huaja në këtë treg, përveçse zgjeron tregun duke ulur normat e interesit të borxhit, shpreh njëkohësisht edhe forcim të besimit tek ekonomia shqiptare në sytë e investitorëve të huaj.

Besim

Blerjet e borxhit të qeverisë në lekë nga të huajt nisën menjëherë pasi agjencia e njohur e vlerësimeve Standard and Poor’s përmirësoi për herë të parë vlerësimin e borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB- duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit.

Sipas Standards and Poor’s, Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë. Pavarësisht këtyre pengesave, agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.

Përtej përmirësimi të notës sovrane nga SP, një tjetër faktor që duket se ka nxitur investimet e të huajve në letrat me vlerë në lekë është dhe qëndrueshmëria e monedhës kombëtare të Shqipërisë. Vitet e fundit lekut është mbiçmuar në mënyrë të vazhdueshme, qoftë ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan. Duke qenë se vendet në zhvillim si Shqipëria ofrojnë norma më të larta interesi, kjo ka rritur oreksin e bankave të huaja për të investuar kapitalet e tyre në blerjen e borxhit të brendshëm të Shqipërisë.

Një burim nga Banka e Shqipërisë i tha Kapitalit se blerja e borxhit të brendshëm nga të huajt ishte një nga arsyet shtesë për rritjen e presioneve për forcimin e lekut gjatë verës, çka e detyroi Bankën e Shqipërisë të ndërhyjë duke blerë masivisht euro./Kapitali.al