Për herë të parë Laguna e Karavastasë nis të eksplorohet si një destinacion turistik për lundrimin me kayak.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se qindra turistë të huaj po e kthejnë lundrimin me kayak në lagunë në ritual.

“Turizmi i aventurës po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj në Shqipëri. Kjo degë e turizmit po mban në këmbë ekonominë e mbi 200 familjeve shqiptare që jetojnë në këto zona dhe që përfitojnë të ardhura nga guidat turistike”, u shpreh kryeministri teksa postoi foto të lagunës.

8.5 milionë turistë sipas shifrave zyrtare kanë vizituar Shqipërinë nga veriu në jug gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, duke tejkaluar të njëjtën periudhë të një viti më parë kur nga janari në gusht vendi ynë u zgjodh si destinacion turistik nga 7.2 milionë shtetas të huaj.

Kombësitë janë të ndryshme por vendin e parë e mbajnë shqiptarët e Kosovës me 3.3 milionë vizitorë, afro 15 përqind më shumë se gjatë 2023. Të dytët janë fqinjët italianë që pavarësisht bukurive të pafundme që ka Italia, 890 mijë prej tyre kanë pushuar në Shqipëri gjatë 8 muajve të parë. Pas tyre vijnë shtetasit nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke u pasuar nga grekë, gjermanë, amerikanë, polakë, francezë e anglezë, por dhe për të përfunduar te Kina e largët me 15 mijë vizitorë të cilët janë afro 101 përqind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë./ata