Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arian Jaupllari zhvilloi në Ankara një takim me homologun turk të Bujqësisë, Ahmet Bagci, ku u angazhuan në diskutime mbi zhvillimin e bujqësisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.

Gjatë vizitës në Ankara, zv. ministri Jaupllari dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilluan një vizitë pune edhe në zyrën e FAO SEC në Ankara, ku u pritën në një takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Kërkimeve dhe Politikave Bujqësore (TAGEM).

Në fokus të diskutimeve ishin përpjekjet e bashkëpunimit dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për inovacionin dhe kërkimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Të pranishmit vizituan më pas Kopshtin Botanik Kombëtar, për të përftuar njohuri të vlefshme për biodiversitetin dhe kërkimin bujqësor.

FAO Shqipëri njofton se kjo vizitë pune 5 ditore në Turqi (Ankara dhe Ayden), u organizua në kuadër të Projektit të FAO-s mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zinxhirit të Vlerë së Gështenjës – Një vend një produkt prioritar( OCOP). Kjo vizitë është një mundësi e mirë për vendimmarrësit në nivel qendror, si dhe sektorin privat për të fituar njohuri të drejtpërdrejta në aspektet institucionale dhe teknike për zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit të vlerës së gështenjës në Shqipëri.

Dita e parë u mbyll me një vizitë në selinë e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me objektivin për projektet e ardhshme të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Turqisë./ata