Përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët pësoi rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) treguan se përveç tendencës disavjeçare rënëse në trafikun e thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara, tremujorin e kaluar pati një rënie edhe në volumin e internetit nga rrjetet celulare.
Statistikat tregojnë se trafiku i internetit nga rrjetet celulare pësoi rënie me 22% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. AKEP vlerëson se çdo përdorues i telefonisë celulare shpenzoi mesatarisht 6.32 GB (gigabyte) internet në muaj, në rënie me 14.4% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 7% krahasuar me tremujorin e fundit të një viti më parë.
Edhe trafiku i thirrjeve zanore vijoi tendencën rënëse, me 8.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përdorimi mesatar mujor zbriti në 150 minuta në muaj për çdo përdorues, në rënie vjetore me 13%. Edhe numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie me 13% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2021.
Ekspertët përgjithësisht e kanë shpjeguar rënien e përdorimit të thirrjeve dhe SMS-ve nga celulari me zhvendosjen e tyre drejt aplikacioneve OTT (over the top) të lidhura me internetin. E thënë ndryshe, thirrjet dhe mesazhet po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp. Por, këtë tremujor, si rrallëherë, u shënua një rënie edhe në volumin e trafikut të internetit nga rrjetet celulare.
Tendencat negative demografike dhe rënia e numrit të popullsisë janë një faktor që potencialisht do të kenë një impakt negativ edhe në tregun e shërbimeve celulare, megjithëse është e vështirë të thuhet nëse ky faktor mund të ketë pasur ndonjë lloj ndikimi në krahasimet vjetore të shifrave.
Sidoqoftë, numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM/numrave celularë aktivë) pësoi rënie me 4.8% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por u rrit me 5.6% krahasuar me të njëjtën tremujor të një viti më parë. Një ndikim negativ në shifrat e përdoruesve dha sidomos operatori Albtelecom, që pati rënie të përdoruesve aktivë si me bazë tremujore, ashtu edhe me bazë vjetore. Në tremujorin e fundit, ky operator ishte në fazën e bashkimit ligjor me përthithje nga operatori tjetër, ONE, pasi të dy kompanitë u blenë vitin e kaluar nga grupi hungarez 4iG. Procesi i përthithjes nga ONE mund të jetë reflektuar negativisht në ecurinë e biznesit dhe shërbimit të Albtelecom, duke dhënë ndoshta edhe një ndikim në treguesit e tregut, përfshi këtu edhe ata të përdorimit të përgjithshëm të shërbimeve.
Nga fillimi i këtij viti, numri i operatorëve celularë në Shqipëri është reduktuar në dy, niveli më i ulët prej 15 vjetësh. Tregu tashmë është përqendruar në vetëm dy operatorë, Vodafone Albania dhe ONE Albania. Ky proces mund të ketë avantazhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve investuese të operatorëve, por nga ana tjetër mund të sjellë një ulje të konkurrencës dhe rritje të çmimeve për përdoruesit e shërbimeve. Nevoja për investime do të nxitet më shumë nga kalimi i pritshëm në teknologjinë 5G. Pritet që AKEP të hapë këtë vit tenderin për frekuencat e para që do të shfrytëzohen për këtë teknologji./Monitor