Punimet për t’i dhënë hyrje të re Shkodrës po ecin ndërsa ka nisur zbatimi i projektit që do e transformojë zonën.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale pamje nga punimet, ndërsa u shpreh se hyrja e Shkodrës hedh hapat e parë drejt transformimit madhështor që meriton.

Dy ditë më parë IKMT nisi shembjen e 11 objekteve pa leje në hyrje të qytetit. Kjo është puna e parë për projektin e hyrjes së Shkodrës, për të vijuar me shpronësimet dhe lirimin e plotë të hapësirës, ku do të zbatohet një nga projektet më të rëndësishme për Shkodrën e të ardhmes.

Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative. Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.

Pjesë e projektit janë edhe fushat e reja sportive dhe një mol i ri, që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj./ata