AIDSSH mirëpret në datën 19 shtator ora 11.00, Edicionin i 19-të të Festivalit Ndërkombëtar te Filmit për te Drejtat e Njeriut në Shqipëri me shfaqjen e dy filmave, “Plumbi i Tretë dhe “ADN e dinjitetit.” Ky edicion mbahet nga data 16 - 21 shtator në Tiranë me mbështetje të Delegacionit të Bashkimit të Europian dhe Ambasadës Gjermane.

Të dy filmat trajtojnë çështje që prekin thellësisht pasojat e politikës së dyerve të mbyllura dhe metodave  të errëta të regjimeve autokrate e shoviniste që mbjellin viktima të pafajshme dhe ngadalësojë procesin e evropianizimit të vendeve të rajonit tonë, përmes metodave të vjetra, të dhunës dhe terrorit.

“Plumbi i Tretë” është një dokumentar politik mbi vrasjen e kryeministrit të parë serb, në 13 mars 2003, Zoran Gjingji, i cili kërkonte evropianizimin dhe daljen e vendit nga hija e errët e luftërave dhe konflikteve etnike të viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Vrasja e tij  ndaloi procesin e gjetjes së një zgjidhjeje për statusin e Kosovës dhe ktheu forcat nacionaliste dhe proruse në jetën politike serbe.

Po kështu një nga temat shumë shqetësuese ajo e procesit dhimbshëm dhe të vështirë të Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, trajtohet në filmin “ADN e Dinjitetit”, ku flitet për pasojat e luftës Ballkanike të viteve nëntëdhjetë, e cila rezultoi me zhdukjen e mijëra njerëzve, familjarët e të cilëve vijojnë me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe vendase gërmimet për gjetjen e eshtrave të tyre.

Eventi do të shoqërohet me diskutime nga ekspertët ndërkombëtarë të drejtave të njeriut Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi dhe z.Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, Kryetarja e Autoriteti për Informim me Dokumente të Ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula, Drejtore e Komitetit të Helsinikit, Erida Skënderi./Tema