Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, ka zhvilluar disa takime me qytetarët, ku u ka dorëzuar fletushkat në të cilën është prezantuar në mënyrë të përmbledhur programi i tij prej 15 pikash.

 

Bejko u ndal në rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet, ku hodhi akuza në drejtim të kryebashkiakut aktual, njëherazi kandidatit të socialistëve më 14 maj, Erion Veliajt.

 

 “Pasi i la rrugët me gropa, tani në prag të zgjedhjeve, po hidhet asfalt elektoral, sapo të bie shi, do bëhen gropa dhe do jetë Erioni që do ua mbushë prap në zgjedhjet e ardhme, nëse votoni atë”, tha Bejko.

 

Sipas tij, kjo politikë duhet refuzuar dhe vota duhet të shkojë për personat që kanë treguar se punojnë për qytetin.

 

“Refuzoni politikën e mashtrimit dhe votoni ato që kanë një program dhe kanë dëshmuar që punojnë mirë për qytetin”, përfundoi Bejko.

 

Në fund pati një mesazh për të rinjtë që refuzojnë të marrin pjesë në votime, duke thënë se vota e tyre është e rëndësishme për të bërë ndryshimin dhe për të zgjedhur më të mirën për vendin.