Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka udhëtuar në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare.
Osmani krahas një fotoje në rrjetin social Facebook ka shkruar: “Në New York për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në javën e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara”.
Përgjatë kësaj vizite, në njoftim thuhet se presidentja do të ketë takime me homologët e saj dhe do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë.
Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA. /Kosovapress/