Është mbajtur ceremoni përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së ushtarit turk të KFOR-it, i cili humbi jetën në Kosovë.

Në ceremoninë e cila u organizua nga kontingjenti turk i KFOR-it, në selinë e këtij misioni në Prishtinë, morën pjesë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, Ambasadori i Republikës së Türkiyes, Sabri Tunç Angılı, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe anëtarë të shtabit të KFOR-it.

KFOR-i në një njoftim për media tha se rreshteri Hüseyin Kutlu bëri sakrificën përfundimtare 25 vjet më parë, në shërbim të paqes dhe sigurisë së Kosovës.

“Nuk do ta harrojmë kurrë përkushtimin dhe angazhimin e rreshterit Kutlu për të luajtur rolin e tij në ndihmën për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, theksoi KFOR-i.

Kultu lindi në vitin 1963 në Eskişehir të Türkiyes. Pasi u diplomua si rreshter shtabi nga Komanda e Shkollave Teknike të Forcave Ajrore Turke në vitin 1982, ai shërbeu në bazat kryesore të avionëve gjatë periudhës 1982 dhe 1994.

Më 7 korrik 1999 ai u caktua në Task Forcën e KFOR-it si shef i ekipit për asgjësimin e mjeteve shpërthyese në Dragash të rajonit të Prizrenit, ku humbi jetën më 22 shtator 1999 pas shpërthimit të një mortaje të luftës, derisa përpiqej ta çaktivizonte atë.

Kutlu ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Familja e tij jeton në Eskişehir./aa