Ish-kryeministri, Sali Berisha në konferencën e përjavshme për mediat,  ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. Berisha tha se Alla i kishte dosjet palë-palë prej 4 vitesh dhe ishte i denoncuar për vjedhje, por s’i hynte gjembi në këmbë.

 

Më tej Berisha theksoi se ne momentin që ai deklaroi se do të rikandidonte dhe s’do pyeste partinë, iu vunë prangat.

 

“Narkotrafikanti i Bulqizës kishte dosje palë-palë prej 4 vitesh, i denoncuar për vjedhje. Ishte unik në botë sistemi i tij për të vjedhur. Vjedhje të tëra me radhë dhe gjembi nuk i futej në këmbë. Në momentin kur deklaroi se do të rikandidonte dhe s’do pyeste partinë, iu vunë hekurat pas 5 orësh. Iu servir kjo si akt i drejtësisë së pavarur. Por është akt i drejtësisë politike që për 4 vite mbajti në sirtar dosjen e tij dhe s’bëri veprim. Ka një analogji të madhe midis arrestimit të tij dhe kontrollit të befasishëm që iu bë pas 1 mandati te partnerja dhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt. Organet ligjzbatuese, pa asnjë diskutim duhet të kenë të drejtë të kontrollojnë në çdo rast kur lindin dyshime, por kurrë në kundërshtim me procedurën ligjore. Jam njeri i që kam denoncuar veprat e Arbën Ahmetajt dhe kam bindjen se ka kryer një sërë veprash. Por ndaj tij dhe askujt tjetër s’mund të bëhen procedura antiligjore. Ahemtaj e kërcënoi Ramën. Ai kërcënoi Don Agaçin, Erion Veliajn dhe tani nuk merrem me thelbet, por bëjnë kontrolle pa autorizime, të paligjshme. Por janë bërë qëllimisht të tilla, për të dalë se gjetën vibratorë. Më faqezi se këta s’ka. Edi Rama këtë donte të dilte.”, tha Berisha.