Në një treg të dominuar nga vetëm dy operatorë telefonikë, numri i kartave aktive SIM ka regjistruar rënie në krahasim me vitin e shkuar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, rreth 3.6 milionë karta SIM ishin në qarkullim gjatë tremujorit të dytë, shifër kjo që përbën një rënie me 1.7% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rënie me 2.8% llogaritur me periudhën mars-qershor të vitit të shkuar.

Fakti që në tregun e komunikimeve elektronike operojnë vetëm dy kompani telefonike, paktetat e të cilave variojnë me çmime dhe numër të ngjashëm njësish, ka bërë që shumë persona ta shohin të panevojshëm zotërimin e dy kartave, duke kontribuar kështu në uljen e totalit të kartave SIM që gjenden në treg.

Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të dytë 2024 arriti në rreth 2.5 milionë që përbën një rritje me rreth 1.8% llogaritur me muajt e parë të vitit dhe rënie me rreth 8% krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Më pak persona kanë përdorur linjat e telefonisë fikse në fund të tremujorit të dytë 2024. Konkretisht, rreth 168 mijë është numri i pajtimtarëve të raportuar, një rënie me 2% llogaritur me muajt e parë të 2024-ës dhe me një rënie prej 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Tregu i telefonisë fikse po tkurret gjithnjë e më shumë, pasi individët përdorin gjerësisht celularë me akses në internet.

Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të qershorit arriti në rreth 296 mijë, një rënie me 1.7% krahasuar me tremujorin e dytë 2023. Numri i personave që kanë të instaluar një paketë trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) në shtëpinë e tyre përbën 23.4% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 29.9% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 46.7% me paketa “Internet dhe TV”. Rreth 46% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të gjysmës së parë të vitit 2024 ishin pajtimtarë me paketa të integruara ku 11% janë me paketa trefishe./Scan