Qeveria do të rishikojë taksat me natyrë ambientale, ku përfshihet taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe ajo e ambalazheve plastike. Në Draft-Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planin e Vepitmit 2024-2027 specifikohet se ndryshimet do të bazohen në studimin e kryer nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitin 2022, me fokus ruajtjen e mjedisit si dhe rritje të të ardhurave në buxhet.
Një nga ndryshimet kryesore në këtë drejtim është shfuqizimi i përjashtimeve nga këto taksa, që janë aktualisht në fuqi në funksion të favorizimit të disa sektorëve. Këtu mund të përmenden ndryshimet ligjore të vitit 2019 që përjashtuan nga taksa e karbonit sasitë e benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas draftstrategjisë të nxjerrë për konsultim publik, sektorët prioritarë do të duhet të mbështeten qartësisht përmes transfertave direkte nga buxheti, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u monitoruar, ndërkohë që eliminimi i përjashtimeve nga pagimi i taksave nuk cenon integritetin e sistemit tatimor.
Sa i takon taksës së plastikës, dokumenti specifikon se do të vlerësohet ndryshimi i saj kryesisht për ambalazhet plastike, duke qenë se janë hasur disa problematika në zbatim. Aktualisht, për artikujt plastikë dhe ambalazheve plastike të importuara, aplikohet taksa në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare. Taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara dhe që përdoren për prodhimin në vend të produkteve të plastikës aplikohet në masën 25 lekë/kg.
Draftstrategjia parashikon analizimin e nivelit të taksës së plastikës, dhe inkurajim nëpërmjet mekanizmave tatimore për riciklimin e tyre. Gjithashtu, parashikohet mbështetje për regjimin e taksave ambientale nëpërmjet udhëzimeve sqaruese. Rritja e këtyre taksave vjen edhe në funksion të zhvillimit të turizmit, duke ofruar një mjedis më të pastër për vizitorët./Scan