Qeveria shqiptare do të ngrejë Regjistrin e Aseteve të tatimpaguesve me synimin e vlerësimit real të pasurive që ata kanë. Referuar dokumentit të strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027 Regjistri i Aseteve të Tatimpaguesve synon ndërtimin e një sistemi verifikimi dhe gjurmimin e të ardhurave të tatimpaguesve, si dhe kontrollin e plotë të pagesave të kryera për tatimin në pronë.

Disa nga problematikat e evidentuara për krijimin e Regjistrit të Pasurive të Tatimpaguesve janë: Mungesa e regjistrave digjitale nga palët e treta (Kadastër, DPSHTRR, Aviacioni Civil, Autoriteti Detar, etj.); Informacioni që merret manualisht është i pastrukturuar; Bërja e ndryshimeve në sistemet e shkëmbimit të të dhënave sipas fushave të caktuara, për të analizuar të dhënat me raportet e Bussines Inteligjent.

Krijimi i Regjistrit është parashikuar të bëhet brenda vitit 2026. Ky proces do të kalojë në 2 faza: Plotësimi i regjistrit të pasurive të tatimpaguesve do të bëhet fillimisht për 10% të tatimpaguesve brenda muajit dhjetor 2026. Janë 128.000 taksapagues aktivë në vitin 2023 dhe pritet të ketë një regjistër për 10%, ose afërsisht për 12.800 taksapagues brenda vitit 2026.

Dhe faza e dytë është Analiza e të dhënave me Raportet Business Inteligjent.

Nga ana tjetër, strategjia parashikon gjithashtu, të evidentohen edhe pasuritë e pajustifikuara të individëve.

Aktualisht, DPT po ndërmerr një projekt pilot me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë për të krahasuar individët që zotërojnë makina luksoze me deklarimin e tyre të të ardhurave personale, (DIVA) si fazë e parë e këtij projekti dhe në të ardhmen për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit në asetet e tjera të tatimpaguesit.

Gjithashtu, po konsiderohen edhe individët subjekt sanksionesh në përputhje me marrëveshjen që vendi ynë ka me organizatat ndërkombëtare. Strategjia e Pajtueshmërisë Individuale do të fillojë të zbatohet për të gjithë Individët që deklarojnë DIVA./Scan