Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit me përfaqësues të komunitetit shqiptar të Greqisë u takua sot me përfaqësues të komunitetit shqiptarë që jetojnë në Selanik.
Në fjalën e tij, Balla tha se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e vitit 2025 është një moment historik.
“Kemi hyrë në një fazë të re të mbështetjes për komunitetin shqiptar në Greqi me hapat e hedhura për çështjen e pensioneve, të lehtësimit të lejeve të qëndrimit, programin e gjuhës shqipe “Mësues për Greqinë” etj”, tha Balla.
Ministri u shpreh se “me punën dhe të ardhurat tuaja në këto 33 vite që keni dërguar në Shqipëri, ju keni qenë dhe mbeteni një motor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe social i vendit. Ky borxh historik tanimë fillon të shlyhet sepse me votën e Kuvendit të Shqipërisë më 26 korrik 2024 dhe me hyrjen në fuqi të ligjit më 15 gusht, është e mundur që çdo shqiptarë që ka mbushur 18 vjeç edhe pse jeton jashtë vendit të mund të shprehet njësoj, me një votë të barabartë me shqiptarët e tjerë që jetojnë në Shqipëri”
Ai bëri me dije se më institucionet e linjës është ngritur tashmë Bordi Kombëtar i Diasporës.
“Ne jemi duke hartuar programin tonë lidhur me çfarë duhet të bëjmë më mirë për diasporën. Por vota juaj është si qytetarë të bashkisë së fundit ku ju keni pasur vendbanimin. Nëse keni banuar së fundi vendbanimin në Korçë dhe emri juaj është i regjistruar në listën e Bashkisë Korçë”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se Shqipëria është në një moment histori. duke shtuar se “viti 2030 do ta gjej Shqipërinë anëtare të BE-së dhe këto 5 vite që kemi përpara janë të rëndësishme dhe mandati i PS është më i rëndësishëm për arsye se jemi në një progres që duhet ta konsolidojmë dhe të përmbyllet me anëtarësimin në BE”.
“Ne sot kemi dyfishuar PBB, kemi rritur pagat në 950 euro dhe qasja jonë do të jetë e tillë që të përmirësojmë sa më shumë kushtet që një pjesë prej jush të rikonsiderojë rikthimin për të investuar në Shqipëri”, tha ai.
Balla tha se “jemi duke studiuar për të parë mundësitë e rritjes së pensioneve. Janë 740 mijë pensionistë dhe për të garantuar pensionet e tyre buxheti i shtetit jep 230 milionë euro. Prej 2013 filluam të negociojmë marrëveshjet e njohjes së kontributeve për efekt pensioni. Kemi arritur 18 marrëveshje. Së fundi ishte Italia, numri i shqiptarëve aty pothuajse po bëhet i barabartë me shqiptarët në Greqi. Dua t’ju informojmë se procesi i negociatave me Greqinë ka ecur. Janë zhvilluar deri tani dy takime mes institucioneve homologe dhe pritet të konkludojmë e t’i japin zgjidhje përfundimtare një problemi disavjeçar për të gjithë shqiptarët që një pjesë kanë kontribuar në Shqipëri dhe një pjesë në Greqi dhe pyesin se ku do të marrin pensionin”.
Gjithashtu, vijoi Balla, është bërë realitet një tjetër angazhim, “Mësues për Greqinë“ ku ne do të paguajmë pagat e të gjithë mësuesve në të gjitha shkollat ku do të japin gjuhën shqipe.
Duke u ndalur tek vota e diasporës, Balla tha se u luftua shumë për t’i dhënë të drejtën votës së diasporës që secili prej jush të marri pjesë në zgjedhjet e vitit 2025.
“60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve do të duhet që të regjistroheni në një portal që do të nxjerrë KQZ dhe do të vendoset në dispozicionin tuaj. Vetëm nëse jeni të regjistruar ju mund të merrni pjesë në votime”, tha Balla, teksa i ftoi të pranishmit t’i bashkohen edhe platformës së PS për “Deputetin që Duam”./ata