Patrullat e Policisë Rrugore kanë vijuar aksionin e pezullimit të patentave drejtuesve të automjeteve të cilët janë në kundërshti me rregulloren.

 

 

Në 72 orë e fundit janë pezulluar 232 leje drejtimi, 17 shoferë të arrestuar pasi janë kapur në flagrancë për drejtim automjeti pa patentë.

 

Policia Rrugore ka pezulluar 232 leje drejtimi dhe ka arrestuar 17 shoferë pas kontrolleve intensive. Gjatë 72 orëve të fundit, janë pezulluar 232 leje drejtimi dhe janë 17 drejtues mjetesh, nga të cilët nëntë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe tetë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 

 

Njoftimi i policisë:

 

Policia Rrugore/Vijojnë kontrollet intensive, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

 

 

 

 

Makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, dragerat, kamerat dhe makinat e pauniformuara, 24/7 në të gjitha akset rrugore, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

 

 

Gjatë 72 orëve të fundit, janë pezulluar 232 leje drejtimi, nga të cilat 185 për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 34 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 13 për qarkullim në sens të kundërt.

 

Po gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar në flagrancë 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 

 

Gjithashtu, duke përdorur mjetet inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masa administrative, pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit, 2064 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi në qendrat e banuara, 450 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1023 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe 745 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.

 

141 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.

 

 

25 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për manovra të gabuara dhe 4 drejtues mjetesh që reklamonin shpejtësi 2-3 herë më shumë se shpejtësia që lejon sinjalistika rrugore, në akse të ndryshme të vendit, janë ndëshkuar me masë maksimale 40 000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit 24 muaj secili.

 

Duke qenë se përgjatë fundjavës, fluksi i lëvizjeve, kryesisht në drejtim të zonave bregdetare dhe zonave turistike, ka filluar të rritet, Policia Rrugore përmes përdorimit të mjeteve inteligjente, do të intensifikojë kontrollet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos qarkullojnë në sens të kundërt, t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe biçiklistëve, si dhe për drejtuesit e motomjeteve, të vendosin kaskën mbrojtëse dhe shenjat dalluese kur qarkullojnë në kushtet e errësirës.

 

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, për të kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës, në rrugë.