Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sot lidhur me idenë për krijimin e Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi.

Tabaku shprehet se, Shqipëria ka kontribuar shumë në shërbim të paqes, tolerancës (jo vetëm fetare) dhe harmonisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku nënvizon se një vend i mbushur me probleme dhe shqetësime të shumta nga një kulturë politike toksike, ka pasur gjithmonë një pasaportë në harmoninë fetare.

“Aq e konsoliduar, fatmirësisht, ka qenë kjo harmoni mes religjioneve, saqë jo vetëm që asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, por gjithashtu respekti ndaj këtij komuniteti ka qenë i rrënjosur thellë në traditën tonë”, thekson ajo.

“Shqipëria ka vuajtur shumë, por fatmirësisht kurrë nga ndasitë e thella dhe polarizuese fetare. Populli ka një thënie të urtë: “Më mirë prishet!””, shton deputetja e PD.

Duke iu referuar intervistës së kryeministrit Edi Rama për median prestigjoze amerikane New York Times, Tabaku shprehet se, projekti erdhi si një pusullë kaosi, ndërsa vendi është zhytur në një spirale krize të thellë ekonomike dhe sociale

Tabaku shton se, në një kohë kur shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale për varfërinë dhe largimin masiv të rinisë, qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin e ekonomisë dhe në zbutjen e krizave sociale, jo në projekte iluzive që nuk kanë lidhje me nevojat e vërteta të vendit.

Më tej, deputetja demokrate shton se, nëse harmonia jonë fetare, etnike dhe racore ekziston, kjo nuk ka nevojë të destabilizohet nga ëndrrat megalomane të askujt.

“Këtë herë, ajo balancë dhe harmoni fetare, ai thesar i çmuar që duhet ta ruajmë dhe konservojmë, ka shkaktuar për herë të parë debat, sepse dikush në qeveri me pushtet ka dashur t’ua marrë atë shqiptarëve për ta veshur si gjerdanin dhe meritën e tij personale. Duke luajtur me të si fëmijë”, shton ajo.

Shqiptarët, nënvizon Tabaku, nuk janë aq fanatikë fetarë, por harmoninë fetare e konsiderojnë diçka të tyre që e ruajnë me fanatizëm.

“Në një kohë kur qytetarët po vuajnë nga papunësia, kriza ekonomike dhe mungesa e shërbimeve bazë, qeveria ka zgjedhur të fokusohet në projekte që nuk kanë lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve. Qeverisja jonë duhet të bazohet në prioritete të qarta: rritja e mirëqenies, zhvillimi ekonomik dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve”, përfundon deputetja Tabaku./ata