Në Shqipëri është mbajtur një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, duke u dënuar sulmet dhe masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve, gjithashtu duke u kundërshtuar dhe dënuar edhe takimi në Tiranë i përfaqësuesve të Komunitetit Musliman të Shqipërisë (KMSH) me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.
Tubimi është organizuar para selisë së KMSH-së në Tiranë, me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve.
Gjatë tubimi janë dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve dhe është bërë thirrje për ndalimin e masakrave ndaj popullit palestinez dhe për lirinë e Palestinës.
Të pranishmit në tubim me flamuj të Shqipërisë dhe Palestinës mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Ndalo bombardimin në Gaza", "Të ndalohet rrethimi i Gazës", "Ndal krimet e luftës së Izraelit në Gaza", dhe "Stop vrasjen e fëmijëve", “Fethullah Gylen, pengmarrës i KMSH-së, "Jo në emrin tim", "Demokraci për KMSH-në" dhe të tjera.
Një nga protestuesit, Ardian Çausholli, për Anadolu theksoi se arsyeja e ardhjes në protestë është mbështetja e kauzës palestineze dhe shtoi se do të vazhdojnë ta mbështesin këtë kauzë.
"Kauza palestineze është një kauzë që duhet mbështetur shumë fuqimisht për arsye se ajo çfarë po i ndodh sot Palestinës dhe sidomos Gazës, mund t’i ndodhë çdo kombi tjetër të vogël. Kjo kauzë na rrëqeth mishin, kur shohim fëmijë të vrarë dhe të plagosur", tha ai.
Një tjetër protestuese, Denisa Spahillari, u shpreh për Anadolu se do të vazhdojnë ta mbështesin kauzën palestineze.
"Jemi këtu për të mbështetur kauzën palestineze. Jemi kundër gjenocidit. Në radhë të parë jemi humanë dhe si humanë ne duhet të mos mbështesim krimin, të mos mbështesim vrasjen e foshnjave, fëmijëve dhe grave", tha ajo.
Në tubim është bëhet thirrje për ndalimin e luftës, ndalimin e masakrave nga Izraeli, gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj popullit palestinez në Gaza, si dhe për paqe dhe lirinë e popullit palestinez.
Protestuesit kanë kundërshtuar edhe takimet e presidentit izraelit, Herzog, në Shqipëri me zyrtarët shqiptarë dhe me përfaqësues të KMSH-së, takime që u realizuan gjatë vizitës së tij më 12 shtator.
Për mbarëvajtjen e tubimit u angazhuan dhjetëra forca policore pranë selisë së KMSH-së.
Kujtojmë se edhe më parë në Shqipëri janë organizuar disa tubime në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e sulmeve dhe masakrave të Izraelit ndaj palestinezëve./aa