Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, janë takuar për të diskutuar marrëdhëniet turko-greke, si dhe çështjet globale, duke përfshirë konfliktin e vazhdueshëm në Rripin e Gazës.

Gjatë takimit të mbajtur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, presidenti turk i tha kryeministrit grek se “Türkiye dhe Greqia mund të ecin përpara me hapa të sigurt drejt së ardhmes në bazë të fqinjësisë së mirë”.

“Presidenti Erdoğan theksoi se nga forcimi i dialogut midis dy vendeve dhe veprimi në përputhje me formulimin dhe frymën e Deklaratës së Athinës do të përfitojnë të dy vendet”, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Duke iu referuar krizës në Gaza, Erdoğan dënoi veprimet ushtarake të Izraelit në rajon.

“Sulmet e Izraelit në rajone të ndryshme, veçanërisht në Gaza, shënjestrojnë civilët e pafajshëm, si dhe paqen e rajonit”, tha Erdoğan.

Presidenti turk gjithashtu theksoi se ekziston rreziku që kriza të përhapet në rajon dhe se është e rëndësishme të bëhet presion mbi Izraelin në mënyrë që të garantohet që ndihma humanitare të dërgohet në Gaza pa pengesa./aa