Egjipti, Jordania dhe Iraku kanë akuzuar Izraelin se po e shtyn rajonin në një luftë gjithëpërfshirëse mes sulmeve vdekjeprurëse të nisura nga Tel Avivi në Liban.

Shefat e diplomacisë së tre vendeve arabe zhvilluan një takim në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

Në një deklaratë të përbashkët nga të tre vendet u theksua se ndalimi i "përshkallëzimit të rrezikshëm që po ndodh në rajon fillon me ndalimin e agresionit të Izraelit në Gaza".

Ata paralajmëruan se "Izraeli po e shtyn të gjithë rajonin në një luftë gjithëpërfshirëse" dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së "të mbajnë përgjegjësitë e tyre për të ndalur luftën".

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar pasi Izraeli nisi një valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse në Liban që nga mëngjesi i të hënës kundër atyre, që siç i quajti Tel Avivi, objektiva të Hezbollahut.

Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 570 njerëz janë vrarë që atëherë, mbi 1.800 të tjerë janë plagosur, si dhe dhjetëra mijëra janë zhvendosur.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës. Që nga tetori i vitit të kaluar, Izraeli ka vrarë më shumë se 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato zgjojnë spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon./aa